Reforma Zgjedhore, top lecke nga “pengmarresit” mbi surrat te shqiptareve

Nga Valbona MEZINI

Është krejt evidente tashmë se partitë politike janë katandisur sipërmarrje private të kryetarëve, ndërsa do të duhej të ishin entitete të interesit publik të qytetarëve shqiptarë. Shembujt e deputetëve në Parlament me mungesë të frikshme artikulimi, argumenti, dhe shpërdorimit të leksikut shqipfolës, janë qartazi një pazar i pastër i interesit personal të kryetarokracisë që ushtron pushtet autokratik brenda partisë politike, në dëm të të ardhmes së vendit, pasi i hapet rrugë vendimarrjeve të personalizuara nga ku derivojnë pushtetet totalitariste.

Lista të tilla të njerëzve pa profil politikë në rastin më të keq dhe me profil  të ulët publik, profesional dhe politik, në rastin më të mirë, vërteton “ gojët e liga”, se për të rrëmbyer një vend deputeti, kur “deti është kos”, mjaftojnë ca miliona, sepse ata të T’iranës kërkojnë ca si shumë.

Dhe në fakt sido që t’a vërtitësh skemën e nxjerrjes së deputetëve në partitë ( shembulli më i keq Partia Demokratike), listat janë produkt i pazareve edhe pse kohët e fundit për të mos i bërë tek shpia listat, kryetari PD-së ua la një grupi të “përzgjedhurish” të cilët ishin po ata që e shanin pak muaj më parë, por që pranuan mesa duket pazaret personale, në këmbim të gjoja-listave “jo-kryetarokratike”.

Në një moçal ku mungon gara (konkurrenca) dhe meritokracia, nuk pritet të lulëzojë bereqeti.

Por të tallesh me interesin publik dhe institucionet shqiptare është dhembje 3 dekadëshe dhe një sistem politik i ngritur në funskion të këtij pazari në kurriz të shqiptarëve, ku përfituesit e drejtëpërdrejtë janë kryetarët e partive.

Ky sistem duhet përmbysur një orë e më parë!

Ligji Ri Zgjedhor i cili u pa si emergjencë kombëtare, nuk u morr sa duhet seriozisht.

Nuk pati vullnet nga elefantët politikë që kanë “marrë peng” shqiptarët për të bërë një ligj të perspektivës, përkundrazi. Të gjithë bashkë, nuk e duan një sistem zgjedhor demokratik, ku të ruhet transparenca e votës dhe proçesi serioz i zgjedhjeve të ndershme.

Duhet ndryshim rrënjësor në ligjin për Partitë Politike.

Partitë politke në vend janë në shkelje flagrante të ligjt, pasi nuk dorëzojnë në gjykatë asnjë dokumentacion për zgjedhjet e brendshme që zhvillojnë, qoftë kjo Partia Socialiste apo edhe ajo Demokratike, sikurse  edhe partitë e vogla, kryetarët e të cilave kanë gjithë jetën “Kryetar”.

Problemet me organizimin e brendshëm  të  zgjedhjeve në partitë politike, derivojnë dhe imponojnë zgjedhje të shëmtuara edhe në nivelin makro, siç janë ato parlamentare apo lokale.

Përgjegjësia është e drejtëpërdrejtë e kryetarëve që gjithë jetën politike, fajin dhe përgjegjësinë “e hedhin në kosh”, nisur kjo edhe nga arsyeja se shqiptarët përfshi edhe gazetarët, nuk e dinë që partitë politike edhe paravësisht bindjeve politike, janë prona dhe asete të politikës publike, që impakton interesin ekonomik të vendit, ndaj edhe për rrjedhojë, janë pronë e qytetarëve që kanë gjithë të drejtën të kërkojnë llogari nëpërmjet të deleguarve apo të zgjedhurve me votë në këshillat kombëtare, asamble a kryesi .

Kur zëri i të zgjedhurve me votë brenda partive nuk dëgjohet, e vendimarrja e partisë është personale, e tillë duhet të jetë edhe përgjegjësia që duhet të  shoqërohet me dorëheqje e që duhet të sanksionohet në statutin e Partisë.

Atëherë do t’i mbërrijmë ditës së shumë kërkuar, që  nuk do të shohim më, deputetë nga listat sorrogato, apo shitje të mandateve të deputetëve e kandidatëve që përfaqësojnë interesat më të larta publike.

Kjo do të thotë të mbash përgjegjësi e të respektosh partinë,  votuesin, të ardhmen dhe kombin!

Pingpongu politik sa majtas –djathtas për të hedhur si top lecke, ligjin e miratuar në Parlament javë më parë për kodin zgjedhor, nuk është gjë tjetër veç një lojë e shëmtuar mes pengmarrësisht që mbi çdo gjë vunë interesat pasurore dhe njëherësh varfëruese për shqiptarët. Këta të fundit të pashpresë në emigrim të përjetshëm.

/ Apel.Media/

AUTOR: VALBONA MEZINI

admin

Read Previous

Nga Valbona Mezini/ Oliver Varhelyi ne Tiranen zyrtare dhe zgjerimi BE –se me Shqiperine

Read Next

NJE EURO DIXHITALE…?

Leave a Reply