Konflikti Perëndim-Lindje, Krimea dhe rreziku i një Lufte të Tretë Botërore! Pjesa I

Kissinger, një njohës i mirë i mardhënieve Amerikano-Kineze dhe prezent në këto mardhënie gjatë gati pesë dekadave të fundit, shkruan se aktualisht këto mardhënie janë tepër të tendosura dhe vetëm një mbrekulli mund të shmang një konflikt katastrofal ndërmjet këtyre dy superfuqive. Lufta në Ukrain nuk është një rast i shkëputur, madje në optikën tonë është fillimi i Luftës së Tretë Botërore. Konkurrenca dhe lufta tregtare për zhvillime teknologjike ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe aneksimi politiko strategjik i Rusisë nga Kina janë disa indikatorë kokëfortë të teorisë se ‘Lufta e Tretë Botërore sapo ka filluar’; në fund të fundit çdo gjë e ka zanafillën në një histori, në një pikë apo në një ngjarje.

Në vitin 1972, një vit pas vendosjes së mardhënieve SHBA-Kinë, Presidenti amerikan Nixon viziton për herë të parë Kinën, vizitë e cila u përmbyll me një komunikatë të përbashkët të quajtur Komunikata e Shangait; një komunikatë nëpërmjet të cilës komunikohet vendosja e mardhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve duke i dhënë kështu fund izolimit 20 vjeçar. Pamvarësisht komunikatës së përbashkët të vitit 1972, dy vendet nuk vendosën mardhënie zyrtare diplomatike deri në vitin 1978 me lëshimin e një komunikatë të dyte dhe vënie në efekt të saj nëpërmjet hapjes së ambasadave përkatëse në fillim të vitit 1979. Me vendosjen e mardhënieve zyrtare diplomatike secila nga vendet pati përfitimet e veta; amerikanët fituan të drejtën e furnizimit me armë të Tajvanit, ndërsa Kina njohu një hapje të re tregu që i dha shtysën e nevojshme për zhvillimin ekonomik të përjetuar në vitet pasuese.

Një tjetër vizitë e rëndësishme ka qenë ajo e presidentit Klinton në Pekin në vitin 1998, vizitë e cila u pasua shumë shkurt nga vizita e liderit kinez Jiang Zemin në Uashington në 1 Janar 1999.  Rëndësia e këtyre dy vizitave qëndron në faktin se, mardhëniet ekonomiko-diplomatike ndërmjet të dy vendeve kaluan në një dimension të ri, dimension i cili, edhe pse me dritë-hije dhe prapavija pabesie, i krijoi Kinës mundësinë e hapjes së tregjeve të mëdha për produktet kineze dhe thithjes së teknologjisë dhe dijes perëndimore në prodhim. Të dy këta faktorë Kina i shfrytëzoi në potencialin e sipërm të mundshëm, duke i kthyer në  gurët e themelit të ndërtimit të një Kine Superfuqi.

Ështe pikërisht perëndimi, i cili duke kërkuar të ulë kostot e prodhimit teknologjik dhe furnizimin e kërkesës së tregjeve të veta me malla të lira, promotori i krijimit të një Kine të fuqishme. Kina e pas viteve 2000/2001 është një Kinë e re, me një vend të ri në tavolinën e ngushtë të aktorëve kryesor gjeo-politik. Po sjellim një shembull të thjesht dhe të njohur për ne- kur gjatë bombardimeve të NATO-s në Beograd u godit gabimisht Ambasada e Kinës në Serbi, Amerikanët u detyruan të paguajnë një dëm prej 28 milion dollarësh. Kina e sotme nuk negocion, por imponohet duke treguar fuqinë e saj ushtarake dhe ekonomike me perëndimin, sidomos me Amerikën. Pra, dija perëndimore e zhvendosur në Kinë nga perëndimorët do të jetë vet benzina që do të furnizoj Luftën e Tretë Botërore, luftë të cilën Kina ka për ta përdorur për qëllimet e saj strategjike.

Duhet të kemi parasysh që Kina është partneri i tretë më i madh tregtarë i SHBA-së (pas Kanadasë dhe Meksikës) sipas statistikave të bilancit tregtarë të SHBA 2022. Vendosja e saj në këtë rend dhe konflikti tashmë i shprehur hapur ndërmjet Kinës dhe SHBA-së ka krijuar pasiguri tek investitorët. Situata gjeo-politike dhe mënyra se si Kina e Manaxhoi Krizën e COVID-19 kanë bërë që shumë nga prodhuesit e mëdhenj kinezë ta lëvizin kapitalin e tyre në vende të tjera të rajonit dhe më gjerë.  

Edhe pse Kina përgjatë viteve të fundit ka ndjekur një politikë të jashtme miqësore, me përjashtim me SHBA, për investitorët Rus dhe Kinezë është e qartë që vetëm një mardhënie e shëndoshë Kinë-SHBA çon në prosperitet ekonomik dhe stabilitet financiar. Kina ka një treg të madh konsumi, por SHBA e vetme ka një PBB më të lartë se të gjitha shtetet e BRINC sëbashku; pra është në interes të të gjithëve që Kina dhe SHBA të krijojnë mardhënie politike e ekonomike mbështetur në aksione dhe interesa të përbashkëta, dhe mbi të gjitha të udhëhequra nga vlera pozitive me qëllime pozitive në drejtim të rritjes ekonomike botërore.

Supremacia e Kinës nuk është krejt në disavantazh të Amerikës. Asetet e nominuara në USD, sikurse janë letrat me vlerë të qeverisë amerikane, vazhdojnë të kenë interes në rritje për investitorët, interes i cili e bënë më të lehtë për qeverinë amerikane përballimin e borxhit publik kombëtarë; për më tepër USD vazhdon të jetë aset rezerve për shumicën e Bankave Qëndrore në botë, duke rritur kështu kërkesën per këtë monedhë dhe garantuar qëndrueshmërinë e saj, indirekt edhe stabilitetin monetar të SHBA-së. Gjithashtu, shumë Banka Qëndrore  në botë udhëhiqen nga vendimet dhe vlerësimet e FED, politika monetare e së cilës ka në qëndër interesin ekonomik kombëtar.

Lufta për de-dollarizim të tregtisë ndërkombëtare është tashmë publike dhe pranohet edhe nga aktorët ekonomik perëndimor, sikurse u pranua së fundmi nga Lagarde në Këshillin për Politikën e Jashtme të FMN-së. Shefja e BQE shprehet se do të ketë zbehje të fuqisë perëndimore në momentin kur rreth Kinës të bashkohen vende të ndryhme me pretendimin dhe objektivin e ndryshimit të Rendit Botëror.

Por përpjekja për dobësimin apo eleminimin e dollarit amerikan si aset monetar kryesor në sektorin financiar në shumicën e globit dhe monedhë kryesore e tregëtisë ndërkombetare nuk ështe një përpjekje e nisur rishtasi, është një luftë e vazhdueshme qysh nga përpjekjet e politikave franceze në vitet 70 të shekullit të kaluar e deri te plani strategjik  Ruso-Kinez i ditëve të sotme. E megjithatë, prej vitit 1973, 85% e tregtisë ndërkombëtare kryhet në USD, po ashtu edhe një pjesë e konsiderueshme e letrave me vlerë dhe huave ndërkombëtare nominohen dhe këmbehen me USD, çka e bën SHBA-në ekonominë dhe politikën më të sigurt në tregun ndërkombëtarë.

Themelimi i Bankës së Re për Zhvillim nga vendet e BRICS, vendosja e alternativës së sistemit SWIFT, emetimi i Monedhës BRICS dhe ankorimi e vlerës së saj me Ar shoqëruar edhe me marrjen e vendimit për zbatimin e Politikave Fiskale të përbashkëta/në unison, janë shenja të qarta që, ekonomitë ne krizë (si ajo e Brazilit dhe Rusisë) nën mbështetjen dhe ombrellën e ekonomive në rritje si tregje konsumi por edhe si fuqi ekonomike (siç janë Kina dhe India), po tentojnë de-dollarizimin e tregtisë ndërkombëtare.

Për sa më sipër, ne biem dakord me shumë ekspert të fushës që pamvarësisht përpjekjeve të jashtëzakonshme të BRICS për goditje të lidershipit ekonomik Amerikano-perëndimor, gjasat për sukses janë shumë të ulta. Banka e Re për Zhvillim mundet të joshë me kredi vetëm vende inflacioniste siç janë Argjentina apo Irani, por nuk ka për të patur sukses në de-dollarizimin apo de-euronizimin e tregtisë nderkombëtare. Sot për sot Yen Kinez përdoret vetëm në 5% të transaksioneve ndërkombëtare, shume larg përdorimit të USD,CAD, Euro apo CHF.

Është fakt që, qysh prej Bretton Woods përdorimi I USD në tregtinë ndërkombëtare ka pësuar rënie me gati 25%, por kjo nuk është ndikuar nga zhvillimi i Kinës aq sa nga themelimi i Unionit Europian dhe futja e Euro si monedhë alternative e tregtisë ndërkombëtare dhe pjesëmarrëse në rritje në ndarjen e interesave në tregjet ndërkombëtare.

Dollari amerikan dhe Euro Evropiane e kanë fituar vendin e tyre si asete monetare ndërkombëtare mbështetur në qëndrueshmërinë ekonomike dhe demokracine politike të vendeve emetesuese. Prandaj çdo monedhë e re që synon të marrë rëndësinë e monedhës ndërkombëtare duhet të emetohet nga vende me qëndrueshmëri ekonomike dhe demokraci politike; e shprehur pak më qartë duhet që nga njëra anë të krijoj besim tek investitorët në ofrimin e sigurisë së vlerës dhe eleminimin e riskut të humbjes së investimeve dhe nga ana tjetëer të jetë lehtësisht e këmbyeshme në monedha të tjera kombëtare si në kohë ashtu edhe në vlerë.

Sa u tha më sipër, na bën të besojmë se koha e Arit si një mjet transaksioni ka kaluar, sikurse edhe gjasat që monedha e re e BRICS të kthehet në aset monetar ndërkombëtar janë të pakta. Kompleksiteti i ndryshueshëm i krijuar në një mjedis me mungesë të plotë të një infrastrukture të përbashkët financiare, kombinuar me mungesën e një alternative të pranueshme sistemi pagesash që të konkurroj SWIFT dhe që operon në një mjedis me thellësi tepër të ndryshme të rritjes ekonomike (veçanërisht ndërmjet tre aktorëve kryesor- Kina, Rusia dhe India) e bën konstruktin e BRICS dhe Bankës së përbashkët shumë të vështirë në veprim. Prandaj, edhe sikur fuqitë perëndimore të qëndronin pasive ndaj nismës Kineze, organika e ndryshueshme ekonomike dhe politike e kësaj nisme e bën tepër të veshtirë suksesin, të paktën të pamundshëm përgjatë çerek shekullit të ardhshëm.

A do të kemi një rend të ri botëror dhe një dobësim të fuqisë ekonomike dhe politike të perëndimit është një pyetje që diskutohet në shumë rrethe interesash. A do të arrijë Kina të manipulojë dhe kontrolloj vendet e BRICS për të arritur qëllimet e veta strategjike, apo këto të fundit po e përdorin anëtarësimin në këtë organizëm si një taktikë për të detyruar fuqitë perëndimore t’i pranojnë ata si anëtarë me të drejta të plota, përfshi këtu edhe të drejtën e vetos, në Këshillin e Sigurimit të OKB? Jemi të opinionit se vende si Afrika e Jugut dhe Brazili mund të përdorin kërcënimin BRICS si një taktitë për arritjen e qëllimit të shprehur mësipër, pasi në një deklaratë të bërë së fundmi ambasadori special i BRICS i Afrkës së Jugut, Anil Sooklal, është shprehur: për vite me radhë Afrika e Jugut u ka kërkuar Kombeve të Bashkuara një vend me të drejta të plota në Këshillin e Sigurimit në rolin e përfaqësuesit të Kontinentit Afrikan. Por edhe India dhe Brazili kanë kërkuar vazhdimisht një gjë të tillë.

Rezultantja e të gjithë këtyre vektorësh forcash varet nga forca shumatore e veprimeve të koordinuara të Amerikës me Europën, pasi në fund të fundit janë prodhuesit më të mëdhenj në botë. Vendet e BRICS sëbashku kanë një popullatë mbi 3 miliard dhe PBB 25% të PBB-së botërore, ndërsa krejt të kundërtën mund të themi për fuqitë perëndimore SHBA-Union Europian. Për më tepër, vendet e BRICS ose nuk kanë lidhje konvecionale racionale ndërmjet vetes ose kanë histori armiqësore, në ndryshim nga lidhja racionale genetike e Evropianëve dhe Amerikanëve. Pra BRICS është një familje jo natyrale me dallime të mëdha interesash, politikash e kulturash ndërmjet vetes. Gjithashtu, këtij heterogjenizmi mardhëniesh i shtohet edhe fakti që anëtarët e BRICS nuk janë me mungesë aftësie vizive dhe i kuptojnë më së miri qëllimet egoiste të Kinës për dominancë. Prandaj, të ndikuar edhe nga kundërveprimet e Amerikanëve dhe Evropianëve (të cilat kanë filluar lëvizjet diplomatike për dobësimin e rrethit BRICS), si dhe të shtyrë thellësisht nga interesat personale që shumë shpejt kanë për të rënë ndesh me ato të pretendentëve pët lidership të bashkimit, në organizmin BRICS do të fillojnë përplasjet dhe dallgët e brendshme, çka ose do e çojë këtë organizëm në vdekje klinike ose do e lërë nano-organizëm.

Kërcënimi nga Kina është arsye e mjaftueshme për Amerikanët dhe Evropianët për të lënë mënjanë diferencat ndërmjet tyre për t’u afruar edhe më shumë në bashkërendim dhe koordinim të strategjive si brenda OKB ashtu edhe brenda organizatave të tjera ndërkombëtare, gjithashtu ndërveprimi i koordinuar kërkohet edhe në drejtimin e boshtit optik të Indisë mbi Supremacinë Kineze dhe synimet e dominimit të Rendit të Ri Botëror që po kërkohet të krijohet. SHBA ka nisur veprimet e veta në ndikim ndaj Indisë dhe Brazilit, duke krijuar nervozizëm brenda pseudo-vllazërisë BRICS, pasi këto të fundit janë vetditësuar që ajo çka ofron Kina si superfuqi është shumë pak krahasuar me atë çka ofron dominimi Amerikan dhe gjegjësisht ai perëndimor.

A do të ketë një reformatim të Këshillit të Sigurimit Botëror, është një çështje përgjigjia e të cilës nuk është e afërt, të paktën jo në Samitin e ardhshëm të Këshillit, por në horizont po shfaqen gjithmonë e më tepër shenja të nisjes së luftërave të reja të ashpra e të dhimbshme, luftëra të cilat nëse nuk izolohen mund të marrin përmasën e një Lufte Botërore.

..(vazhdon në Pjesën II me analizën e luftërave dhe konflikteve sporadike dhe rëndësinë e tyre gjeo-politike që mund të çojnë në një Luftë të Tretë Botërore)

admin

Read Previous

Kosova e rritë gatishmërinë për siguri kibernetike

Read Next

Lufta e Tretë Botërore dhe ripozicionimi i Kompanive Ndërkombëtare

Leave a Reply