Konflikti Perëndim-Lindje, Krimea dhe rreziku i një Lufte të Tretë Botërore! Pjesa I
SHKRIM I BOTUAR NE PORTALIN “EUROPANEU-S.COM” ME 21 GUSHT 2019
Sharl De Gol do të thoshte “Mbrojtja është arsyeja e parë e të qenit Shtet, është një kusht i panegociueshëm , plotësimi i të clit nuk mund të mungojë, përndryshe prishet vet Shteti”
Nuk mund të themi nëse është kjo filozofi e cila qëndron në themelin e të konceptuarit të Shtetit nga Shqipëria dhe Kosova, apo fakti që këto dy shtete të një kombi, kaq të ngjashëm me njëri-tjetrin, kanë politika të moderuara dhe deri diku të avancuara në mbrojtje ushtarake është thjesht rastësi. Duket se kandari peshon më shumë nga rastësia, pasi të dy shtetet i përcaktojnë politikat e mbrojtjes duke u bazuar ekskluzivisht në Forcat e Armatosura, ndërsa mardhëniet me jashtë, me publikun, me të mirën e përgjthshme sikurse janë siguria sociale, ushqimi, energjia, prodhimi industrial, shëndeti, transporti publik, telekomunikacioni konceptohen prej qeverive thjesht dhe vetëm si doktrina apo strategji ekonomike dhe aspak si pjesë të rëndësishme integrale e mbrojtjes kombëtare.
Politikat Kombëtare janë themelet e një shteti, dhe si të tilla ato përcaktohen nga politikat në sektorin e infrastrukturës, energjisë dhe fuqia e monedhës kombëtare (për ato shtete që kanë mundësi të kontrollojnë vlerën e monedhës kombëtare).
Më 1973-shin OPEC vendosi embargo për Naftën kundrejt SHBA-ve duke shkaktuar kështu të njohurën si “Kriza e Naftës”. Brenda më pak se një viti çmimi i naftës u 4-fishua, duke traumatizuar kështu ekonominë e vendeve të industrializuara si Amerika. Mund të quhet kjo krizë pika e kthimit në konceptin e sigurisë kombëtare për SHBA-të, por jo vetëm. Dëmet që solli në ekonomi Kriza e Naftës nxorrën në dritë faktin që energjia është gjaku i ekonomisë, dhe Siguria e Energjisë nën kupton sigurimin e saj në mënyrë të vazhdueshme dhe me çmime të përballueshme ; në këtë kontekst burimi i energjisë nuk ka aspak rëndësi karshi interesave kombëtare për sigurinë .
Prej kësaj pike kthimi e deri më sot do të shohim që, aty ku politikat kombëtare bien ndesh me interesat Amerikane lindin konflikte; konflikte të lindura nga arsyeja e birimit të energjisë janë: Pranvera Arabe, kriza politike dhe destabiliteti në Pakistan, mardhëniet tejet delikate SHBA-Rusi, embargot e shumta vendosur ndaj Iranit etj. Madje edhe raportet jo fort të qëndrueshme SHBA-Europë i kanë rrënjët në konceptin e të vlerësuarit të birimeve të energjisë si siguri kombëtare.
Kjo është arsyeja se pse prej dekadash në literaturën teorike prodhohen pafund shkrime e analiza mbi sigurinë energjitike si objektivi kryesor i politikavë publike të shteteve. Siguria energjitike është po aq e rëndësishme, apo më mirë të themi promotori i zhvillimit ekonomik të një vendi. Pengesat e zhvillimit të saj më shumë herë janë politike dhe gjeo-politike sesa burimore, teknologjike apo financiare.
Po si konceptohet kjo filozofi në Kosovë?
Në fund të korrikut ne kemi publikuar një intervistë të ministrit Lluka ku ndër të tjera është shprehur edhe për TEC Kosova e Re. Madje, po të bësh një kërkim të shpejtë në faqen e internetit të kësaj ministrie për TEC C gjen publikime, dokumenta, pyetje-përgjigje pafund. Ka aq shumë dokumenta sa shpresojmë që të paktën në ministri të mos i kenë të shtypura pasi do të ishte harxhim letre dhe boje i kotë…
Dhe përsëri po citojmë Sharl De Gol i cili do të thoshte: “Të drejtosh do të thotë të zgjedhësh ndërmjet disavantazheve”.
Kjo është ajo që duhet të bëjë qeveria e Kosovës për të arritur qëllimin e saj në ndërtimin e Kosovës C dhe pavarsimin e vendit nga faktorë të jashtëm.Planet për të ndërtuar Termocentralin C, apo të njohurin si “Kosova e Re” kanë nisur prej më tepër se një dekade të shkuar. Në fillimet e veta u dakortësua me organet ndërkombëtare ndërtimi i një impianti me kapacitet prej pak më tepër se 2000 MWh, për t’u rishikuar më vonë dhe rënë në një dakordësi të re prej 1000 MWh, por nën justifikimin e vlerës së lartë të investimit edhe ky plan u rrëzua, për të rënë dakord më në fund në vitin 2015 mbi ndërtimin e një impianti jo më të madhë se 500-600 MWh.
Kur filluan analizat dhe diskutimet e para për ndërtimin e kësaj vepre, koha dhe kapaciteti i dakordësuar ishin shumë të përshtatshme për Kosovën, mjaftonte që drejtuesit e shtetit të zotëronin largpamësinë dhe dijen e nevojshme për hartimin e strategjive fitim-prurëse për vendin.
Themi që ishte koha më e përshtatshme e mundshme pasi Europa nuk kishte firmosur në atë kohë asnjë dekret, Traktat apo dokument ku të kërkonte mbylljen e ngadaltë të impianteve energjitike me linjit dhe mos lejimin e ndërtimit të të rejave. Largpamësia dhe dija duheshin për të kuptuar që Europa do të shkonte drejt një rruge të tillë pasi politika kishte filluar të shpeshtonte gjithmonë e më shumë konferencat dhe lançimin e studimeve (të sponsorizuara) për ruajtjen e mjedisit.
Ndërtimi i këtij impianti në kohë dhe me kapacitetin e vlerësuar në fillim do ta kishte kthyer Kosovën në një aktor kyç në rajon në sektorin më të rëndësishëm, por jo vetëm, do të kishte bërë të mundur edhe shmangien e ndërhyrjes Ruse në sistemin energjitik, dhe rrjedhimisht në politikë në Shqipëri.
Pas shumë zvarritjesh në Dhjetor 2017 Kosova firmos kontratën për ndërtimin e TEC me kapacitet 450 MW (+/- 20) me kompaninë angleze Contour Global nën një skemë PPP për 20 vite. Kur Contour Global doli fituese e procesit të tenderimit ishte pikërisht para përgatitjes së emetimit të IPO, ku pjesë e dokumentit të Prospektit të saj zë një vend të rëndësishëm projekti i Kosovës, i vlerësuar si një investim prej 1,3 miliard Euro. Por, lëshuesi i aksioneve të zakonshme paralajmëron investitorët potencial se asnjë qindarkë e mbledhur nga kjo shitje nuk do të përdoret për financim në Kosovë. Financimi në Kosovë do të sigurohet nëpërmjet formave të tjera si kredi apo partneritet me institucione të ndryshme financiare dhe jo financiare, apo edhe investitorë privat. Për më tepër sipas burimeve zyrtare të vet investitorit financimi do të sigurohet ndërmjet viteve 2019 dhe 2022.
Pra, kompania fituese nuk ka pasur asnjëherë ndërmend të fillojë ndërtimin e impiantit.
Çfarë deklaron qeveria e Kosovës nga ana tjetër?
Qeveria e mëparshme me ministër Stalivecin në vitin 2016 do të deklaronte se ndërtimi i TEC fillonte brenda një viti, pasi me investitorin amerikan (në dijen tonë investitori është anglez) ishin duke u firmosur marrëveshjet e fundit tregtare.
Një vit më vonë qeveria do të deklaronte se ndërtimi do të fillojë jo më larg se fillim viti 2018, për të hyrë në prodhim të energjisë elektrike jo më larg se viti 2023. Në fund të vitit 2018 do të ishte vet (tashmë ish)kryeministri Haradinaj i cili do të deklaronte publikisht se ecuria e planit të veprimit për ndërtimin e Kosova e Re është në rrugë të mbarë dhe po vazhdon siç duhet. Në të njëjtën kohë kur Banka Botërore (informacion i dhënë për median nga Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim) kishte tërhequr mbështetjen për ndërtimin e termocentralit me anë të një vendimi të formës së prerë dhe të komunikuar në qershor Ministrit Lluka (deklarata e BB është në tetor 2018).
Dikur dikush i cituar edhe më sipër do të thoshte ne në rast se do më duhej të zgjidhja ndërmjet të tradhëtuarit të vendit dhe të tradhëtuarit të elektoratit do të zgjidhja të tradhëtoja të dytin.
Ky nuk është rasti në Kosovë, sepse ne ne Kosove vendin mund ta lëmë pa sigurinë e mbrojtjes por jo të dalim hapur se kemi dështuar në premtimin e dhënë elektoratit. Elektorati shqiptar ka provuar që ka kujtesë afat-shkurtër dhe jep mundësi të dyta e të treta mbi të njëjtat premtime të dështuara më herët, dhe politikanët tanë këtë gjë e dinë mirë.
Asnjë institucion financiar nuk do të financonte një projekt me kosto tre herë më të lartë se sa një projekt tjetër alternativ për të njëjtin produkt përfundimtar! Parimet e vlerësimit të një investimi të parë nga ana e një privati ndryshojnë thelbësisht nga parimi i vlerësimit të një investimi të parë nga ana e përfituesit përfundimtar- Kosovës si shtet.
Jo më larg se para dy muajsh ministria njoftoi shpalljen fitues të GE për ndërtimin e TEC Kosova C, një procedurë konkuruese e shpallur nga mbajtësi i kontratës në qershor 2018 me afat përfundimi brenda verës të po atij viti. Pra, si asnjë herë tjetër kompanisë i janë dashur rreth një vit të bëjë vlerësimin e operatorëve pjesëmarrës.
Nëse i gjithë biznesi privat do të funksiononte kaq ngadalë, atëherë kjo botë do të ishte ende në vitet para se Edison të kishte themeluar GE.
Investitori me të cilin është firmosur kontrata e investimit nuk zotëron as 10% të kapitalit të nevojshëm për financimin e projektit, pra për të kjo kontratë është një kontratë që vetëm në ëndërr mund të bëhet realitet.
Banka Botërore nën presionin e aktorëve të shumtë të energjisë me të drejtë është tërhequr nga financimi i impiantit (pavarësisht justifikimit të dhënë qeverisë së Kosovës). Në vitin 2013 Europa dhe Banka Botërore kanë qënë firmëtare të direktivave për të mos nxitur më tej ndërtimin e impianteve që emetojnë dioksid karboni në mjedis. Është lënë koha e nevojshme për ratifikimin e Direktivave të gjitha vendeve pjesë të Sekretariatit të Energjisë në Vjenë, sikurse është edhe Kosova.
Ky sekretariat do të ndërmarrë hapat e para të forcimit të qeverisë së Kosovës për përputhjen e legjislacionit me direktivat e nënshkruara nga vendet anëtare më 2 korrik 2018, duke i dërguar një Letër të Hapur Kosovës për mos zbatim të disa dispozitave të Direktivave 2001/80/EC and 2010/75/EU. Organet e Kosovës nuk reagojnë, kështu që në 19 shkurt 2019 procedon me shkallën e dytë të padisë dhe jep kohë deri në 19 Prill 2019 për Kosovën- ose të plotësojë detyrimet e Traktatit ose të justifikojë pozicionin e vet. Përsëri Kosova është e zënë me çështje të tjera dhe nuk ka reagim (nëse nuk është Haga ajo që na drejtohet, ne nuk reagojmë). Si rrjedhim në korrik 2019 Sekretariati dërgon zyrtarisht padinë në Këshillin Ministror si organi më i lartë ligjëvënës dhe drejtues i Komunitetit të Energjisë Vjenë.
Pse po e sjellim këtë fakt?
Sepse, sipas direktivave të EU të gjitha vendet anëtare të Traktatt të Energjisë dhe që synojnë të jenë pjesë e BE-së duhet të përditësojnë legjislacionin e sektorit energjitik në përputhje me BE. Të gjithë impiantet që kanë firmosur një kontratë ndërtimi deri në fund të vitit 2018 me kusht që ndërtimi të ketë filluar jo më vonë se janar 2019 do të konsiderohen si impiante ekzistuese, ndërsa për të gjitha ato kontrata ndërtimi i impianteve të të cilave nuk ka nisur brenda janarit 2019 do të duhet të plotësojnë kritere shumë më të larta të ndikimit në mjedis.
Pra, Kosova është në shkelje të direktivave të BE-së dhe nuk mund të japë lejet e fillimit të ndërtimit të impiantit termik nëse nuk ka ndryshuar legjislacionin, dhe rishikuar projektin sipas legjislacionit të ri, rrjedhimisht edhe investitori nuk mund të drejtohet askund për sigurimin e financimit.
Së dyti, kontrata e firmosur me kompaninë angleze është tërësisht në dëm të buxhetit të Kosovës. Nëse sot blejmë rreth 800 GW energji elektrike në tregun e jashtëm me një çmim mesatar sipas Hupx prej 51 Euro per Mwh, dhe pjesën tjetër e prodhojmë në vend me një çmim mesatar prej 35 Euro, me ndërtimin e këtij impianti nën kushtet e kontratës ekzistuese çmimi me të cilin qeveria e Kosovës do ta blejë energjinë është 80 Euro.
Por, nga dija jonë e akumuluar dhe hulumtimi i bërë mbi këtë çështje jemi të mendimit që investitori nuk do të jetë në gjendje të gjejë financimin e nevojshëm për projektin, pasi edhe pse çmimi i blerjes së energjisë nga shteti është mjaftueshëm lukrativ, në një vend me instabilitet politik siç është Kosova, çdo institucion financiar do të vlerësonte të lartë riskun politik (prishjen apo rishikimin për poshtë të çmimit të blerjes së energjisë nga ana e shtetit në një të ardhme të afërt). Në këto kushte çdo kthim i llogaritur apo Vlera Aktuale Neto do të binte poshtë.
A vlen apo jo të ndërtohet TEC Kosova C nga ana financiare është një pyetje që ne e shtrojmë për diskutim në rrethin dhe lobet e intelektualëve, ekspertëve të shkencës së energjisë, analistëve financiar dhe njohësve të legjislacionit.
Por, vlerësuar nga pikëpamja strategjike, në opinionin tonë, Kosova e Re duhet të shndërrohet nga një premtim elektoral në një realitet sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe kjo duhet bërë nëpërmjet financimit të veprës nga vet qeveria e Kosovës, ose më saktë duhet të vlerësohet si variant investimi për kthimin e Fondit të Trustit në Kosovë.
- Përfitimi i parë do të ishte politik dhe kombëtar, duke u e kthyer vendin në një furnitor rezerve energjitike (atë që sot po e bëjnë serbët me një impiant të vjetër vetëm prej 300 MWh në Bosnje).
- Përfitimi i dytë do të ishte shoqëror, pasi do të hapte vende të reja pune si në TEC ashtu edhe në minierat e linjitit (Kosova renditet vendi i dytë me rezervat më të larta të linjitit në Europë)
- Përfitimi i tretë do të ishte rritja e të hyrave në buxhetin e shtetit në formën e tatimeve dhe tarifave, por edhe kursimi i shpenzimeve për blerjen e energjisë me 80 Euro nga investitori.
Në vepra të rëndësishme vlerësimi është socio-ekonomik dhe jo financiar…
Shpresojmë që qeveria e re që do të krijohet ta bëjë realitet këtë investim së bashku me HEC Zhur.
Fondi dhe mundësitë janë akoma në tavolinë, nevojitet vetëm patriotizëm dhe vizion.
/EuropaNeu-s Analysts/ me 21 Gusht 2019