Konflikti Perëndim-Lindje, Krimea dhe rreziku i një Lufte të Tretë Botërore! Pjesa I
Projekti Nord Stream 2 është një nga projektet më të diskutuara qysh prej fillimit të tij, dhe duket se edhe sot që po flasim diskutimeve dhe kundërshtimeve të projektit nuk u kanë dhënë fund as miliardat e investuara në të gjatë këtyre 10 viteve dhe as heshtja e vazhdueshme e politikës Gjermane rreth këtij projekti Gjermano-Rus.
Si është e mundur që ndërtimi i këtij projekti kaq shumë të diskutuar ka vazhduar i qetë deri më sot, pamvarësisht faktit që Gjermania dhe shtetet e tjera të BE kanë vendosur sanksione të vazhdueshme kundrejt Rusisë dhe sjelljes prej gangsteri të Putinit?
Përfundimi i këtij projekti, edhe pse ka për t‘u shoqëruar me konflikte të shumta në gjeo-politikë, do të ridizenjojë hartën e fuqive energjetike në botë.
I pezulluar sot në kilometrat e tij të fundit ky projekt shtron pyetje të shumta. Kush ka punuar dhe po punon brenda Qeverisë Gjermane për interesa të Putinit? A janë këta aktorë mjaftueshëm të fuqishëm për të përmbyllur me sukses NS2 apo ky projekt do të kthehet në një varrë investimesh dhe fati i tij do të endet kalvareve të pafundme të proçeseve gjyqësore?
Mos ndoshta e gjithë kjo zhurmë mediatike është një lojë ndërmjet shërbimeve të shumta? Nuk është më sekret që në Berlin janë prezente si CIA ashtu edhe KGB e NSA, prandaj natyrshëm lind dyshimi se, bazuar në deduksione ngjarjesh e informatash publike, e gjithë kjo zhurmë do të qetësohet dhe normalizohet në tavolina bisedimesh të aktorëve të ndryshëm përfaqësues të shteteve me stabilitet por jo deri më sot me fuqi unike energjetike.
Nord Stream 2 AG, një kompani e formuar në Zug të Zvicrës me aksioner (direkt dhe indirekt) gjigandë të energjisë si Gasprom, ENGIE, OMV, Shell, Uniper dhe EËintershall Dea, është zbatuesi i një prej projekteve më të rëndësishëm të dekadës së fundit, projekt i cili me përfundimin e tij do të konkurrojë fuqishëm prodhuesit e LPG dhe do ta shndërroj jo vetëm Rusinë, por edhe vet Siberinë si burimin e mirëfilltë i gazit, në një faktor të rëndësishëm ekonomik në kontinent.
Por, pse hesht Gjermania…?
Ajo hesht sepse me përfundimin e projektit nuk përfiton vetëm Rusia, por përfituesi i dytë më i madh është vet Evropa, e cila vetëm gjatë vitit të saj të parë do të mund të përfitojë rreth 7,9 miliard Euro kursime në kosto të ulura të gazit, fond ky i cili jep frymëmarrje për të investuar në projekte të tjera të energjisë alternative, projekte të cilat mund të jenë e ardhmja e energjetikës në gjysëm shekullin e ardhshëm.
PorNord Stream 2, projekti më i madh Gjermano-rus deri më sot, po përballet me sanksione nga USA. Ultimatumin direkt për pezullimin e projektit SHBA e kanë dhënë pak vite më herët, kur ambasadori i sapo emëruar në Berlin Grenell ka kërkuar zyrtarisht nga qeveria Merkel ndalimin e realizimit të këtij projekti.
Pse……….?
Sepse Nord Stream 2 nuk është thjesht një Investim Kapital, ai është një platform mardhëniesh politike dhe ekonomike në Kontinent dhe përtej oqeanit. Loja e madhe politike brenda vet BE-së në lidhje me këtë projekt dhe në veçanti përçarja e mardhënieve ndërmjet Gjermanisë dhe SHBA-së deri në një masë të paparashikueshme rreth Nord Stream 2 e bënë të paqartë jo vetëm ecurinë e projektit, por edhe masën dhe grupet e interesit në sektorin e gazit, dinamika të cilat jo vetëm që mund të rezultojnë me konflikte të mëdha ndërmjet Gjermanisë, Rusisë dhe SHBA-së, por komplikojnë edhe arenën e rivendosjes së Gjermanisë në pozicionin e liderit të unionit për krijimin e një simetrie Evropiane të modelit amerikan, krijimin e nje shteti Federal Evropian.
Gjermania, e cila e vlerëson NS2 si gurin e themelit të fuqisë së saj energjetike, sot ndodhet përpara presionit të madh për tërheqjen nga projekti për shkak se SHBA duke përdorur si arsye, por jo shkak, helmimin e opozitarit të Putin ka vendosur sanksione mbi kompanitë Gjermane që punojnë në këtë projekt.
E ndodhur në një situatë të vështirë shahu, ministri gjerman i financave Olaf Scholz (SPD) i ka ofruar homologut të tij amerikan një subvencion prej një miliard Euro për ndërtimin e terminaleve Brunsbüttel dhe EWilhmshaven nëpërmjet të cilave do të mundësohet importi i gazit natyror amerikan në Evropë.
A do të pranojnë amerikanët subvencionin gjerman si kusht për heqjen e sanksioneve të fundit mbi NS2? Përgjigjia e kësaj pyetje është sa çështje ekonomike aq edhe politike, dhe rrjedha e saj do të varet nga fuqia klienteliste e grupeve të interesit si brenda Senatit Amerikan ashtu edhe brenda Parlamentit Gjerman. Por… pamvarësisht përfundimit afatshkurtër dhe vendimeve të marra si në Senat ashtu edhe në Parlament, kjo është një çështje që nuk do të mbyllet dhe do të vazhdojë të krijojë konflikte të vazhdueshme.
Debati, konflikti dhe kundërshtimet e NS2 nuk janë vetëm brenda Parlamentit Gjerman, por edhe vet brenda Parlamentit Evropian gjenden grupacione të ndryshme interesi që e kundërshtojnë këtë projekt dhe kërkojnë anulimin e tij me arsyen se, kjo marrëveshje bie ndesh me Marrëveshjen e bashkëpunimit ndër-shtetëror të nënshkruar në Parlamentin Evropian.
Mendimi politik i Gjermanisë për krijimin e një Federate Evropiane është politika e duhur për kontinentin, por si çdo politikë e rëndësishme edhe kjo po has në kundërshtime të grupeve të caktuara brenda Evropës, të cilave u preken interesat. Kohët e fundit vihet re një intensifikim i zërit kritikues të një prej ekonomistëve më të njohur të kohës në Gjermani,Hans-Werner Sinn, i cili kritikon të gjitha politikat fiskale të borxheve të brendshme të shteteve të Unionit, që nga fshejha e shifrave të borxhit deri tek ndihmat sipas tij të dështuara të Gjermanisë në kohë pandemie për shtetet e zhytura në borxh si Italia, Spanja dhe Portugalia. Të gjitha këto lëvizje janë pjesë të një mozaiku në lojën për pushtet, lojë të cilën shpresojmë që Gjermania nëpërmjet Inteligjencës së saj të zhvilluar dhe bashkëpunuese me homologet e veta angleze dhe amerikane të jetë në gjendje ta luaj deri në fund.
Por, a është e mundur që Gjermania të jetë përfaqësuesja e vetme e kontinentit dhe sidomos Unionit në këtë lojë, dhe a ka ajo tagrin e duhur për të vendosur?
Traktati 311 i Funksionimit të Unionit Evropian kërkon që vendet anëtare të tij të jenë në unison dhe të kenë mirëkuptim gjithpërfshirës në vendim-marrje. Pra, kërkohet që të shuhen diferencat e treguara së fundmi mbi tendencat e kuptimit të fondit evropian nga Holandezët dhe Austriakët nga njëra anë dhe Gjermanët dhe Francezët nga ana tjetër. Shtetet anëtare të Unionit kur kanë firmosur këtë traktat kanë pranuar që lëvizjet ekonomiko-politike të njësisë do të jenë të harmonizuara si në kohë prosperiteti ashtu edhe në kohë krizash, dhe janë pikërisht dy çështje të lidhura me Rusinë që e kanë prishur këtë harmoni – projekti Nord Stream 2 dhe bomba me sahat e strehuar nga Berlini ( Alexey Navalny). Kjo disbalancë mendimesh ka bërë që Merkel të dorëzohet përkohsisht kundrejt presionit të brendshëm (i cili nuk përjashtohet mundësia të jetë i induktuar dhe ushqyer nga jashtë) dhe ta pezullojë projektin NS2 në 50 kilometrshin e fundit të shtrimit të tubacioneve.
Tendenca për një ripozicionim të ri të politikave gjermane kundrejt aleatit të saj amerikan shifen qartë edhe tek zërat e brendshëm brenda PSD- kryesisht figura në nivel lokal, të cilët kundërshtimin e sanksioneve amerikane i shofin si veprim pozitiv dhe veprimin e duhur kundër politikave shumë të dyshimta të disa mbështetësve të ish Kancelarit Schröder.
E ndërsa një pjesë e mirë e senatit amerikan me në krye Senatorin Cruz e quan Putinin “Një person negativ dhe bandit të KGB-së”, mbështetja dhe financimi i Gjermanisë për projektin Nord Stream 2 bënë që Rusia dhe “Djali i keq” Putin, të cilët për shtatëdhjet vitet e fundit kanë qenë një rrezik permanent i demokracisë në Evropë, të kthehen në lojtarë të rëndësishëm dhe faktorë kyç në projektet e sigurisë së energjisë.
Në perceptimin e publikut duket se, Gjermania i ka harruar tanket ruse në Berlin, e ka harruar dhunimin e qindra femrave nga forcat ruse pas Luftës së Dytë Botërore, ka harruar se në të kaluarën e afërt sa e sa agjentë janë likujduar dhe sa e sa familje janë internuar në tokën shpirt-marrëse të Siberisë, e sa të tjera nuk i kanë mbijetuar internimit duke lënë eshtrat e tyre rrugëve të akullta të Siberisë. Vallë ka harruar edhe rastin epik kur ish Presidenti Kennedy, në një kohë të errët për Gjermaninë kur Rusia sulmonte nga të gjitha anët për të shkatërruar edhe grimcën e fundit të kulturës dhe jetës gjermane, zbriti në Berlin dhe në mbrojtje të Gjermanisë deklaroi se ai ishte berlinas?
Si qëndron e vërteta? A mundet që Gjermania të ketë një kujtesë kaq të dobët dhe të shkurtër apo qeveria Merkel ka rënë viktimë në “kthetrat e mafies ruse“?
Senatori Cruz është i bindur se mafia ruse dhe qeveria gjermane janë një dhe si të tillë duhet të luftohen së bashku. Po a është kjo e vërtet? Mos ndoshta vallë kjo qeveri po vuan pasojat e një koalicioni me SPD, e cila me sa duket është dhe mbetet kumbarë i Rusisë në Qeverinë Gjermane?
Këto janë pyetje që ngrihen vazhdimisht nga intelektualët e kohes….!
Merkel ka deklaruar së fundmi se është e gatshme të përjashtojë gjithëçka……A do të thotë kjo që ajo është e gatshme të vazhdojë me projektin NS2 pavarësisht kundërshtimit të aleatit të saj- Amerikës? Shumë pak besojnë se Merkel do të dorëzohet përballë presionit amerikan, por a do të jetë kjo luftë e ashpër apo Gjermania do të përpiqet që të arrijë marrëveshje të reja me amerikanët, marrëveshje të cilat do të sjellin stabilitet të mardhënies dhe rrjedhimisht do të lejojnë çuarjen përpara të projektit madhor të Gjermanisë për krijimin e nje Shteti Federal Evropian?
Duket se gazi rus nuk është arsyeja e vetme e përplasjeve Gjermani-SHBA. Euro si monedhë u krijua për të zëvendësuar dollarin amerikan si valutë asset në sistemin financiar dhe konflikti ndërmjet këtyre të dyjave duket se është shtuar kohët e fundit, konflikt i cili padyshim nuk është thjesht ekonomik, por është pikë së pari politik.
Dollari është valuta nëpërmjet të cilës është bërë deri më sot si tregtia e Naftës ashtu edhe ajo e Arit, por Larry Smith i OPEC shpall se epoka e Naftës është drejt fundit, dhe shumë gjigand të arit të zi po ndryshojnë rrënjësisht fushat dhe strategjitë e tyre të biznesit.
Mjafton të ndjekim publikimet e fundit të kompanive gjigande siç është BP dhe shohim se, BP vitin e kaluar ka shitur mbi 150 milion filxhan kafe, e cila në vlerën e saj më të ulët ka rezultuar në shitje prej 300 milion Eurosh. Pra, Smith ka të drejtë kur thotë se Epoka e Artë e arit të zi është duke perënduar, dhe aktorët kryesor të këtij sektori do të ndryshojnë fushën e tyre të biznesit, ndryshim i cili do të sjellë konflikte të reja në arenën gjeo-politike.
Na lejoni të japim edhe një argument më shumë mbi të drejtën që i veshim deklaratës së Smith. Në portalin e përditshëm më të lexuar gjerman (BILD) deri para dy vitesh gjeje lajme pothuajse të përditshme mbi rrezikun e ekstremizmit islamik në Evropë. Por, sot në rubrikën rreth aktualitetit të këtij portali nuk has asnjë lajm mbi pasojat negative që mund të shkaktojë ekstremizmi islamik në Evropë, apo mbi rrezikun që i kanoset kësaj të fundit nga bota islamike. Vallë rastësi…….? Vallë kuçedrës “Islam” u arrit t’i priten të shtatë kokat?????
Jo….! Thjesht dhe vetëm Epokës së Naftës po i vjen fundi dhe brenda vitit 2050 nafta do të harrohet si burim kryesor energjie. Drejtimi i sigurimit të energjisë në mënyra alternative ka vite që ka filluar, dhe politikat e promovimit, mbështetjes dhe subvencionimit të prodhimit të energjisë alternative janë në zbatim prej një kohe të gjatë.
Prandaj edhe politikën e Gjermanisë për lindjen e një konflikti me Amerikanët mbi gazin rus e vlerësojmë si një rrezik të kontrolluar nga Merkel, dhe me shumë mundësi si Gjermania ashtu edhe Amerika kanë rënë dakort prapa perdeve të arrijnë shumë shpejt një marrëveshje.
Si përfundim, në opinionin tonë Gjermania nuk do të tërhiqet nga projekti NS2, pasi strategjia e saj është zëvendësimi i varësisë së vendit nga kompanitë e huaja në Naftës për sigurimin e energjisë, me burime të tjera alternative dhe të qëndrueshme.
A do të jete Rusia i vetmi furnitor apo në marrëveshje me amerikanët Gjermania do të furnizohet nga dy burime të ndryshme, duke bërë kështu të mundur minimizimin e kontrollit të Rusisë në qeverinë e saj?
…..mbetet për t’u parë…..
/AK1 Report/