Konflikti Perëndim-Lindje, Krimea dhe rreziku i një Lufte të Tretë Botërore! Pjesa I
Në një trafik të rënduar interesash në rajonin tonë dhe më gjerë, pamundësuar të lexohen në kohë e aq më pak në të tashmen, zhvillime frenetike në tregun global të politikës, vështirësojnë qëndrimet dhe zgjedhjet e politikbërësve shqiptar përkundrejt atyre të aleatëve strategjikë.
Por po t’i shtosh kësaj panoramën politike të kokolepsur prej 3 dekadash post-tranzicion, edhe zakonin “alla shqiptar” të kryetarëve të partive, për t’a tërhequr “shatin” gjithëherët nga interesat vetjake, si dhe mungesën e qenësishme të perceptimit iluminativ, që medoemos duhet ta ketë cdo lider që udhëheq fatet e kombeve, rezultati të jep Shqipërinë e sotme, e vështirë për t’u kuptuar apo ndërtuar.
Duket se letra e Trump me të cilën Rama trazoi “shpirtrat” e kundërshtarëve politikë në orët e para të mëngjësit, teksa shpaloste publikisht mirënjohjen e Liderit Global Trump, drejtuar Ramës si një përfaqësues shtetar të një vend mik dhe strategjik të SHBA-ve, është një dorështrirje edhe në të ardhmen për cilindo që i shkon përvijë politikës pro-amerikane, qoftë ky Rama apo djalli, sesa një mbështetje për mandate të tretë.
Shumë nxituan t’a zhvlerësonin këtë fakt, kryesisht opinionistë kritikë, se gjoja Trump, letra u çon edhe familjeve në nevojë, por a nuk është në nevojë Shqipëria?
Zot është Amerika! Kjo nuk do më mend.
E që politika e saj ekonomiko-diplomatike po “kërcënohet” seriozisht nga zhvillimi teknologjik kinez dhe jo vetëm, edhe kjo ështe e dukshme dhe e lexueshme. E që Shqipëria për rajonin është “thembër akili” për stabilitetin rajonal dhe favorit ndaj politikës pro amerikane, edhe kjo është fakt.
Por ku do të jetë pozicioni i pllakës “puzzle” në të ardhmen që do vendosë në hartën e madhe, Shqipërinë!?
Kjo varet nga iluminimi lidershipit kombëtar.
Sikurse thotë kryeministri, e vetmja luftë që ka sot shqipëria, është ajo për zhvillim dhe integrim. Vendi për faj të politikës kombëtare, përfshirë aktorët kryesorë që kanë përcaktuar fatet e jetesës së shqiptarëve dhe integritet shqiptar në botë, PD, PS, LSI , sigurisht që lë për të dëshiruar dhe aspak modeli më i mirë, për të mos thënë i dështuar, përderisa në 1000 shqiptarë, 12 zgjedhin të largohen, përqindje kjo tejet e lartë krahasuar me çdo vend tjetër rajonal.
Zhvlerësimi i ekonomisë shqiptare, pagës dhe korrupsioni e moszbatimi ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë, mungesa e infrastrukturës utilitare të shërbimeve dhe shërbesave, ka detyruar këta shqiptarë të shpopullojnë vendin.
Këtu nis zanafilla e problemit të integritetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Por një letër e tillë e dërguar nga Presidenti më i fuqishëm sot për sot në botë, duket se është një ogur për të kthyer mbrapsht këtë xhaketë të vjetër të “poltikave leckamane” deri më sot.
Letrën shumëkush ‘e lexon’ si një mundësi për reflektim dhe ndërgjegje kombëtare, për të bërë me dhembshuri e përkushtim më shumë për politikën e vendit, shqiptarëve dhe më pas t’u shërbehet politikave gjeorajonale e gjeoglobale. Por deri atëherë, sa pa zgjidh detyrat e shtëpisë e të marrësh notën kaluese nga ndërgjegja e popullit tënd, kurrëfarë vlere ska një letër diplomatike qoftë edhe falenderuese.
A e dini pse?
Druaj se së jashtmi, askujt nuk i bëhet vonë për Shqipërinë e shqiptarët, madje gjithëherët i duan të palumtur e të varfër, nëse nuk do ua mundësojë shteti i tyre integritetin ekonomik e atë moral. Por as së brendshmi nuk më rezulton t’i duan shqiptarët, pasi të gjithë bashkë në 30 vjet, shpopulluan Shqipërinë në standartet më të ulta.
Pra letra të tilla janë “make up” politik sezonal që fshihet me një sapllak ujë.
Përpara se të gëzojnë apo dëshpërohen politikanët për letra të tilla, lipset të kuptojnë të gjithë bashkë, se gravatat shumëngjyrëshe dhe atletet firmato apo shallvaret, përveçse janë një stil personal, nuk ngrenë kurrëfarë peshë për interesin kombëtar në arenën e gjeopolitikës globale.
Letra të tilla paçim përherë, ndërsa samiti me Kinën do të ishte një “kartë bixhozi” nëse do të ishte një gambler profesionist, që mund ta luante në kazinonë globale të politikës, por deri atëherë të duhet të rreshtohesh pa zë në krah të politikave dhe vendimarrjeve strategjike të aleatëve.
Paçim Fat!
VALBONA MEZINI @ APEL MEDIA