KRIPTOMONEDHAT, PAMVARËSIM NGA POLITIKA APO THJESHT RISI FINANCIARE

Në kohë krize marrëveshjet e vendosura ndërmjet dy ekonomive apo dy monedhave për të financuar disekuilibrat e konsiderueshme në bilancet e pagesave kthehen në jo funksionale, prandaj edhe kërkohet gjithmonë për sisteme të reja pagesash apo zhvillime të reja teknologjike dhe financiare. E vërteta është që pas dështimit të marrëveshjes së Bretton Woods deri në fillimet e shekullit të ri nuk ka patur ndonjë lëvizje të rëndësishme në fushën e marrëveshjeve të sistemit të pagesave. E vetmja ngjarje që mund të shënohet si levizje e rëndësishme është vendimi i Bashkimit Evropian (edhe pse jo të gjithë anëtarët e BE-së janë palë e marrëveshjes) për të zëvendësuar monedhat kombëtare me një të vetme, vendim i cili në parim nuk bën gjë tjetër vetëm se ndryshon emrin e Markës Gjermane në Euro në fushën e Aseteve Monetare Ndërkombëtare.

Modeli i ndjekur është një nga modelet klasik “krizë-dështim-dhe risi”.

Deri me zhvillimin përtej të imagjinueshmes së teknologjisë , risitë janë sjell dhe janë manaxhuar nga qeveritë botërore, por ajo që ndodhi pas krizës së tregjeve financiare të vitit 2008, një krizë e cila, si çdo krizë tjetër ,nuk ishte financiare, por politike, ishte e re si për qeveritë që kishin krijuar, dështuar dhe më vonë manaxhuar me anë të Bankës Botërore, FMN-së dhe OKB-së dështimin e planifikuar të sistemit Bretton Woods, por edhe për aktorët kryesor të politikës. Në vitin 2009 iu prezantua botës Kriptovaluta e parë.

Kriptovalutat janë monedha dixhitale të dizenjuara për të funksionuar si mjete këmbimi.

Përgjatë historisë 50 vjeçare të shpikjes dhe zhvillimit të Internetit ka patur disa përpjekje për të krijuar një monedhë dixhitale, përpjekje të cilat për arsye të ndryshme janë shantazhuar dhe janë lënë në errësirë deri në momentin kur një grup zhvilluesish të njohur me pseudonimin Satoshi Nakamoto ,pa lejen e Bankave Qëndrore ,në vitin 2009 ia dolën të hedhin në treg kriptovalutën e parë botërore me emrin BITCOIN.

BITCOIN ishte një risi surprizë jo vetëm për publikun, i cili pas njëfarë kohe do të fillonte ta përqafonte, por edhe për shumë analistë, të cilën u gjendën të pa pregatitur për të dhënë opinionin e tyre dhe u kapën në befasi kur në fund të po të njëjtit vit, kjo monedhë u njoh zyrtarisht nga elita drejtuese e financave.
BITCOIN-I, një sistem elektronik i Cash-it jashtë çdo imagjinate, i decentralizuar dhe i kontrolluar nga një server jashtë kontrollit të Policëve të sistemit monetar- Bankave Qëndrore, u ndërtua dhe funsionon si një platformë tradicionale e mbajtjes së të dhënave në libra dhe ditare duke krijuar një ekuilibër të balancuar të transaksioneve dhe duke ruajtur pasuritë e krijuara si një aset dhe informacion tepër personal.

Pa hyrë në një spirale shpjegimesh se si ky grupacion zhvilluesish arritën të ruajnë balancën dhe të dhënat e transaksioneve duke krijuar një regjistër perfekt ditaresh veprimi brenda një rrjeti vetëm dhe thjesht duke përdorur kriptografi themelore, do të përqëndrohemi në faktin se si ky grupacion arriti të krijojë besimin në këtë valutë dixhitale duke ruajtur kështu vlerën e një BITCOIN, monedhë e cila, me përjashtim të disa vështirësive të hasura në këtë dekadë ekzistence , mbetet një nga kriptovalutat më të tregtuara deri më sot. Kontrolli mbi paranë në formën klasike të saj siç e njohim dhe e përdorim masivisht (Paraja FIAT) është kontroll politik mbi ekonominë, dhe BITCOIN arriti të pranohet dhe krijoi besim në vetvete, pikërisht sepse si mjet këmbimi heq të drejtën e këtij kontrolli mbi pasurinë personale nga politika dhe borgjezia.

Është pikërisht fakti që BITCOIN funksionon dhe tregtohet jashtë kontrollit të Bankave Qëndrore dhe politikës arsyeja e ngritjes së alarmit dhe kritikimit masiv nga këto të parat për mundësi spekulimi dhe destabilizim të tregut monetar mbarbotëror. Në këtë valë masash dhe kritikash janë veçanërisht Banka Qëndrore Evropiane dhe ajo Amerikanë ato të cilat kanë hedhur idenë e mundësisë së vendosjes së një kontrolli mbi kriptomonedhat, kontroll i cili mund të vendoset vetëm nëse zhvilluesit dhe tregtarët e këtyre monedhave iu nënshtrohen rregullave dhe politikave të Bankave Qëndrore ,si asaj Evropiane ashtu edhe asaj Amerikane. Në këtë kontekst të ri ekonomiko-politik ku Bankat Qëndrore dhe politika i janë nënshtruar zhvillimit të pakthyeshëm të kërkesës së tregut për monedhë dixhitale, por duke kërkuar dhe tentuar të ruajnë dhe kontrollojnë sistemin dhe ballafaqimin me të papritura, lindi ideja e bashkimit të disa grupacioneve sot për sot shumë më të fuqishme se BITCOIN për të ndërtuar platformën kriptovalutore me emrin LIBRA.

Projekti LIBRA , përveçse është një tendencë e re për të pushtuar dhe kontrolluar tregun e monedhave dixhitale , mbart në vetvete edhe një mision politiko-diplomatik të vendosjes së një rregulli përshtatje dhe vlere në përputhje me rregullat dhe politikat e Bankave Qëndrore. Kjo tendencë dhe qëllim politik është evident në bisedimet ndërmjet Bankave Qëndrore të Evropës, Amerikës dhe Anglisë dhe seancat e pafundme të mbajtura në Kongresin Amerikan si dhe në Shtëpinë e Bardhë. Shtrimi i rrugës nga BITCOIN për një kaos të mundshëm në Rendin Shoqëror dhe mbajten e kapitaleve në disa qendra jashtë kontrollit të aktorëve politik botëror duhet të ndalet nëpërmjet vendosjes së një kontrolli të mundshëm.

Bota e re e financave dhe krijimi i tregut online të kriptuar të mjeteve të këmbimit për shkëmbime të mallrave dhe shërbimeve, një botë e cila deri dje ishte inekzistente dhe e pakonceptueshme në terma real, por që me kohën është bërë pjesë e jetës së përditshme ekonomike ndërkombëtare dhe është shtrirë në fusha konkrete investimi duke u kthyer në një program zhvillimi dhe aplikimi nga shumë kompani të fuqishme të online-it siç janë Amazon dhe Ali Baba, të cilat po dalin në treg me projektet e tyre të kripto valutës për të qenë aktorë të tregut, i cili konsiderohet nga vetë ata si lojë në fushat online.

Por, projekti LIBRA , përkrah faktit që si ideator të vetin ka Facebook , përgatitës së para-projektit Vodafon dhe vendosjen e gurit të themelit në Zvicër , mbart në vetvete probleme të caktuara besimi pikërisht prej mundësisë së të qenit një valutë nën varësinë e rrjetit social Facebook, ideatorit dhe mbajtësit të shumicës së aksioneve të LIBRA-s.

Shumë pyetje po shtrohen në këtë valë të nxehtë diskutimesh para lançimit zyrtar të monedhës dixhitale (planifikuar për vitin 2020) se a do të lejohet që ky mega projekt të ketë varësi nga Facebook dhe a do të ketë ky mega projekt të njëjtin CEO sikurse Facebook, David Marcus. A është LIBRA një kërcënim për sistemin ekzistues të kriptomonedhave apo është një kërcënim për Paranë FIAT (kryesisht USD dhe EURO) janë pyetje dhe kritere të cilat kanë bërë që SHBA dhe Banka Qëndrore Evropiane të jenë pjesë e këtij projekti madhor.

Largimi i kompanive VISA dhe Master Cards si investitorë potencial të projektit dhe mundësia e një rikthimi të tyre në të ardhmen janë çështje të cilat duhet të analizohen nga ekspertët e tregut financiar dhe tregut kapital, por largimi i PayPal dhe deklarat e këtij të fundit se dëshiron të përqëndrohet në bizneset tradicionale është faktori kryesor pse politika ndërroi kurs dhe kërkon që LIBRA të licensohet jo nga organet rregullatore të sistemeve financiare, por nga FMN-ja.

Përpos diskutimeve mbi avantazhet dhe disavantazhet e kriptovalutave, tregu i tyre sot është një realitet i cili po zgjeron çdo ditë e më shumë pjesën e tij të tregut të këmbimit të mallrave dhe shërbimeve në lëmin ndërkombtar dhe ka hapur lojën e pamvarsimit në fushën ku deri dje bankat as nuk e imagjinonin të luanin.

Prandaj edhe kerkesa e Nick Read , drejtor i pergjitheshëm i Vodafon, që LIBRA t’i shmanget drejtimit nga pronarët e rrjeteve sociale , ka dimensionin politik dhe ekonomik para së gjithash në lojën që i gjithë tregu i vendeve me zhvillim ekonomik mbi mesataren do të bëhet pjesë e kësaj fushe të re monetare dhe një lëvizje e tillë masive , në rast se nuk i vihen frenat e kontrollit sot , do të zbeh rolin e Bankave Qëndrore kryesore të botës dhe rrjedhimisht do të rrezikojë edhe pozicionin si asete monetare të monedhave kryesore (asaj të SHBA-se, Evropës dhe Kinës). Prandaj kërkohet me çdo kusht që ky treg të kontrollohet nga FMN-ja dhe në rast se ndodh e kundërta ; FMN të mos jetë në gjendje ta vendosë në ullitë e duhur tregun e kriptovalutave , nuk besojmë së Bankat Qëndrore kryesore do të rrinë duarkryq dhe të vëzhgojnë se ku do të shkojë një lëvizje të cilës nuk ia dinë fundin.

Si përfundim, diskutimi i emrave të mundshëm si drejtues të projektit LIBRA dhe levizja e David Marcus nga drejtimi i rrjeteve sociale për t’u përqëndruar mundësisht në këtë projekt, është tërësisht i varur nga miratimi i politikës, pasi , që një projekt i tillë të zbatohet me sukses , duhet që kushdo që do të marrë miratimin për ta drejtuar atë të jetë nën kontrollin e politikës Amerikano-Evropiane, dhe në rast se tentohet ndryshe me siguri që si SHBA dhe Evropa do të ndërhyjnë për të rikthyer kontrollin dhe shmangien e anarkisë.

Botuar ne EuropaNeus me Ocober 31st, 2019

admin

Read Previous

Bija ime, Ëndrrat …

Read Next

FEDERATA EVROPIANE NJË MUNDËSI APO NJË ËNDËRR…….

Leave a Reply