Konflikti Perëndim-Lindje, Krimea dhe rreziku i një Lufte të Tretë Botërore! Pjesa I
Kriza ekonomike e shkaktuar nga Pandemia e Corona Virusit COVID-19 i ka vendosur 2 milion shqiptarë të Kosovës përballë njëri-tjetrit në një sherr të paparë ndërmjet vetvetes, duke iu ezauruar kështu ato pak energji që zotërojnë për të gjetur zgjidhje të mundshme për veten, familjen dhe shoqërinë. Kaosi ku gjendet vendi sot është produkt i politikës së tij, e cila e ka bërë Kosovën vendin më të padëshiruar për të jetuar dhe punuar në këto momente.
Ndërkohë që Bota është angazhuar tërësisht në luftën kundër armikut të padukshëm, armës politiko-ekonomike më të sofistikuar të krijuar ndonjëherë nga një fuqi deri më tani e vlerësuar si e pallogaritshme dhe e parashikueshme në veprimet e veta, Kosova ka nisur një luftë të re mes vetes, duke e lënë ekonominë në rënie të lirë dhe duke diskutuar mbi shifra të uljes së rritjes ekonomike në 2,5% nga 4,5% të raportuara nga të huajt, shifra të cilat në vetvete nuk do të thonë asgjë pasi janë numra në dimensione të tyre as realë dhe as të saktë (2,8% është vlerësuar gabimi mesatar i bërë nga FMN në parashikimet e saj për rritjen ekonomike në vende dhe kohë të ndryshme).
Kosova si shtet i ri dhe i varfër ka mundësi të limituara për të përballuar një fatkeqësi natyrore (le ta quajmë fatkeqësi natyrore këtu për hir të objektit të shkrimit, pasi nuk mendojmë se është e tillë); madje shumë më të limituara edhe se Shqipëria e cila ka pavarësi në printimin e parasë së gatshme, dhe barra e limiteve të kushtëzuara të instrumentave të përdorshëm në përballjen e një emergjence bie mbi rishqyrtimin e buxhetit dhe kërkimin e fondeve të freskëta.
Por….. në vend që politika të angazhohej në rishqyrtimin e buxhetit dhe miratimin e paketave të shëndetshme për përballimin e krizës, në Kuvendin e Kosovës u paraqit një dokument tjetër (më i dëmshmi dhe më i padëshiruari në këtë kohë), mocioni i mosbesimit i mirëorganizuar nga të dyja palët (si nga LVV dhe nga LDK), të cilat kanë bërë llogaritë përkatëse se si do të përfitojnë nga gjendja e krijuar dhe qeverisja e vendit me një Kryeministër në detyrë me kabinet të gjymtuar.
POLITIKA DUHET T’I SHERBEJE SHTETIT DHE KOMBIT! Mendojmë se na takon neve, qytetarëve të thjeshtë të kërkojmë me insistim nga politika e vendit që të ecë ne koherencë me politikat e shteteve perëndimore. Si Amerikanët ashtu edhe Evropianët në axhendën e tyre imediate kanë miratimin dhe vënien në zbatim të Paketave ndihmuese dhe lehtësuese për ekonominë në këtë kohë bllokimi tregtar, investimesh dhe konsumi. Prandaj është urgjente që dhe ne të dalim nga kriza historike e keqmanaxhimit të vetvetes dhe të fokusohemi në dhënien zgjidhje të së keqes më të madhe, krizës ekonomike që tashmë ka hapur derën dhe në mjedisin e brishtë ku jetojmë dhe do të shkakëtojë një numër të konsiderueshëm viktimash (nuk jemi duke folur këtu për vdekshmëinë nga virusi, por për viktimat ekonomike të së ardhmes së afërt ).
Nuk kërkojmë kurrsesi që qeveria të matet me ndihmën që po u jep ekonomive të veta perëndimi, pasi kjo është e pamundur nëse marrim parasysh që Fondi Evropian ESM ka një kapacitet rezerve prej 410 miliardë Euro (gati 3,4% të PBBsë së Bashkimit Monetar) dhe në këtë situat këtij fondi i është shtuar edhe një paketë tjetër sa 2% e PBB-së së Unionit, apo SHBA ka vënë në dispozicion 2,2 Trillion USD për manaxhimin e situatës. Gjermani është shteti që ka manaxhuar më së miri situatën, duke vënë në dispozicion jo vetëm mjete monetare dhe kreditore por edhe Flotën Ajrore për mbartjen e qytetarëve evropianë të prekur rëndë nga virusi dhe trajtimin e tyre në sistemin spitalor të saj. Vënia në veprim e një larmishmërie masash nga Gjermania të shton shpresën për një rikthim fitimtar të Unionit në fushën e lënë frikshëm zbrasur nga tmerri Kinez.
Ne nuk mund të jemi kurrë në këto nivele pasi edhe PBB e Kosovës në shifra është joreale.Ajo që kërkojmë nga politika e Kosovës është që Kuvendi të mos merret më ping pong-e individësh, por të mblidhet dhe të miratojë një program të qartë ekonomik për vendin. Demagogjia dhe propaganda janë dy mjete politike tërësisht jo-funksionale në këtë kohë.
Në lenten tonë të analizës në Kosovë në këto momente nuk ka Yin dhe Yang, përkundrazi si Albin Kurti ashtu edhe Hashim Thaqi janë problemi kryesor i Kososvës, shkaku dhe mjeti i problemeve që do të përfshijnë Kosovën në një të ardhme të afërt. Prandaj, nëse ata nuk e kuptojnë që nuk janë monarkë të mesjetës por drejtues të kohëve moderne kur ajo që i mban në pushtet është kontrata shoqërore, duhet në mënyra të ndryshme t’jua bëjmë të ditur se Kosova është e të gjithë neve dhe jo e një grushti njerëzish në drejtim.
Si Amerikanët ashtu edhe Evropianët me të gjithë rrjetin e shërbimeve inteligjente që zotërojnë, pavarësisht informacioneve rreth gjenezës së këtij virusi, e konsiderojnë se së pari duhet të veprojnë për të zbutur sa më shumë pasojat që do të sjellë kriza e instrumentuar dhe dizenjuar në detaje nga fuqi të cilat bota nuk i ka njohur deri më sot, dhe vetëm pas kësaj; apo edhe paralel me masat për përballimin e krizës, do të zhvillojnë politikat e jashtme për të vënë para drejtësisë shkaktarët e vërtetë të kësaj krize.
Faza e dytë e luftës gjeopolitike botërore do të sjellë shumë paqëndrueshmëri, trazira dhe dallgë në krijimin apo ridizenjimin e arenës së re të Super Fuqive, madje bota mund të hyjë në një dimension të ri dhune me pasoja të paparashikueshme për ne njerëzit e thjeshtë.
Lufta ndërmjet monedhës amerikane, asaj evropiane dhe asaj kineze ka filluar qysh më herët dhe konflikti do të zvogëlohet vetëm atëherë kur njëra prej tyre të fitojë luftën për të qenë aseti monetar i rezervës për monedhat virtuale, të cilat së paku kanë mbi një dekadë që operojnë në tregun valutor por me futjen në treg të LIBRA-s do të marrin një dimension tjetër rëndësie. Fatkeqsishtë apo fatmirsisht në parashikimet e Bankës Botërore rritja ekonomike e Kinës do të pësojë një tkurrje drastike nga 6,1% në 0%, por edhe në -0,1%. Këto parashikime tregojnë qartazi se në çfarë dimensioni lufte po hyjmë, ku brenda pak muajsh kemi mbi 22 milion banorë të shtuar në statistikat e nivelit të të ardhurave minimale për frymë (të cilët marrin më pak se 5,5 USD për frymë në ditë), dhe me këto ritme pritet që brenda këtij muaji këtyre statistikave t’u shtohet edhe një kontigjent i ri me jo më pak se 21 milion banorë.
Kjo është panorama Botërore sot, ndërsa në Kosovë panorama e proklamuar është shumë më ndryshe. Analistët, politikanët dhe media janë në terr të plotë (ose së paku kështu na paraqiten) duke delaruar se Kosova do të përjetoj një rritje ekonomike pozitive dhe nuk do të bjerë nga trendi prej 4-5 %.
Sigurisht ë kjo është lajthitje dhe një statistkë e cila jo vetëm që është surreale por deri diku hedh hije dyshimi mbi aftësinë e organeve përkatëse për të hartuar politika fiskale të sakta dhe të zbatueshme, pasi është e pamundur të kemi një planifikim të drejtë të financave publike kur e gjitha bazohet mbi shifra të pasakta indikatorësh makro-ekonomik.
Prandaj, është koha të dalim nga gjumi letargjik dhe të kërkojmë nga politika të tejkalojë vetveten për t’i shërbyer shtetit dhe kombit.